MESAZHI I ATIT TË SHENJTË, FRANÇESKUT,
ME RASTIN E DITËS XXXI BOTËRORE TË RINISË
2016
«Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë.» (Mt 5,7)
Të dashur të rinj e të reja,
kemi mbërritur në fazën e fundit të shtegtimit tonë drejt Krakovit, ku vitin e ardhshëm, në muajin korrik, do të festojmë së bashku Ditën XXXI Botërore të Rinisë. Në ecjen tonë të gjatë dhe angazhuese jemi udhëhequr nga fjalët e Jezusit të marra nga “predikimi në mal”. E kemi nisur këtë rrugëtim në vitin 2014, duke medituar së bashku mbi Lumturinë e parë: «Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve» (Mt5,3). Tema e vitit 2015 ishte: «Lum të pastrit në zemër, sepse do ta shohin Hyjin» (Mt 5,8). Në vitin që po na pret duam të lejojmë të frymëzohemi nga fjalët: «Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë» (Mt 5,7).
1. Jubileu i Mëshirës
Me këtë temë të DBR-së së Krakovit 2016, futemi në Vitin e Shenjtë të Mëshirës, duke u bërë një Jubile i mirëfilltë Rinor në nivel botëror. Nuk është hera e parë që një bashkim ndërkombëtar i të rinjve përkon me një Vit jubilar. Në fakt, ishte Viti i Shenjtë i Shëlbimit (1983-1984) kur Shën Gjon Pali II thirri për herë të parë të rinjtë nga e gjithë bota për të Dielën e Larit. Pastaj, ndodhi që, në Jubileun e Madh të vitit 2000, më shumë se dy milionë të rinj nga rreth 165 vende u mblodhën në Romë për Ditën XV Botërore të Rinisë. Siç ndodhi në këto dy raste të mëparshme, jam i sigurt se Jubileu i Rinisë në Krakov do të jetë një prej momenteve të forta të këtij Viti të Shenjtë!
Ndoshta disa prej jush do të pyesin: çfarë është ky Vit jubilar që po kremtohet në Kishë? Teksti biblik i Librit të Levitikut 25 na ndihmon të kuptojmë se çfarë nënkupton një “jubile” për popullin e Izraelit: çdo pesëdhjetë vjet, hebrenjtë dëgjonin zërin e trombës (jobel) që i thërriste (jobil) për kremtimin e një viti të shenjtë, si një kohë pajtimi (jobal) për të gjithë. Në këtë periudhë, duhej rivendosur një marrëdhënie e mirë me Hyjin, me të afërmin dhe me krijimin, bazuar në dhurimin falas. Prandaj, ndër të tjera, përnxitej falja e borxheve, një ndihmë e veçantë për këdo që kishte rënë në mjerim, përmirësimi i marrëdhënieve mes njerëzve dhe lirimi i skllevërve.
Jezu Krishti erdhi që ta shpallte dhe ta kryente kohën e vazhdueshme të hirit të Zotit, duke u sjellë të varfërve lajmin e gëzuar, lirinë të burgosurve, shikimin të verbërve dhe çlirimin të shtypurve (Krh. Lk 4,18-19). Në Të, sidomos në Misterin e tij Pashkvor, kuptimi më i thellë i jubileut gjente përmbushje të plotë. Kur Kisha bën thirrje për një jubile në emër të Krishtit, të gjithë jemi të ftuar që të jetojmë një kohë të jashtëzakonshme hiri. Vetë Kisha është e thirrur që t’i ofrojë me bollëk shenjat e pranisë dhe afërsisë së Hyjit, që të zgjojë në zemrat e njerëzve aftësinë për të parë atë çfarë është thelbësore. Në mënyrë të veçantë, ky Vit i Shenjtë i Mëshirës «është koha që Kisha ta gjejë kuptimin e misionit që ia ka besuar Zotëria në ditën e Pashkës: të jetë vegël e mëshirës së Atit» (Homelia në Mbrëmësoren e parë të së Dielës së Mëshirës Hyjnore, 11 prill 2015).
2. Të mëshirshëm si Ati
Motoja e këtij Jubileu të jashtëzakonshëm është: «Të mëshirshëm si Ati» (Krh. Misericordiae Vultus, 13), dhe me këtë intonohet dhe tema e DBR-së së ardhshme. Prandaj, të përpiqemi ta kuptojmë më mirë se çfarë nënkupton mëshira hyjnore.
Besëlidhja e Vjetër kur flet për mëshirën përdor terma të ndryshëm, ku ndër më domethënësit janë hesed dhe rahamim. I pari, që i vishet Hyjit, shpreh besnikërinë e tij të palodhshme ndaj Besëlidhjes me popullin e vet, që Ai e do dhe e fal në përjetësi. I dyti, rahamim, mund të përkthehet si “të brendshme”, duke iu referuar në veçanti barkut amnor dhe duke na bërë ta kuptojmë dashurinë e Hyjit për popullin e vet si atë të një nëne për fëmijën e saj. Kështu na e paraqet Isaia profet: «E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj!» (Is49,15). Një dashuri e këtij lloji nënkupton që t’i bësh vend tjetrit brenda vetes, të ndjesh, të vuash e të gëzosh me tjetrin.
Në konceptin biblik të mëshirës përfshihet edhe konkretësia e një dashurie që është besnike, falas dhe që di të falë. Në këtë pjesë të Ozeas profet kemi një shembull të bukur të dashurisë së Hyjit, që krahasohet me atë të një ati përballë birit të vet: «Kur Izraeli ende ishte djalëunë e dojae prej Egjiptit e thirra birin tim.Por, sa më shumë i thirrja,aq më tepër largoheshin prej meje; [...] E unë e mësoja Efraimin të ectevetë i mbartja para duarsh,s’e kuptonin se për ta kujdesesha.I tërhiqja me litarë për njerëz,me zinxhirë të dashurisë;isha për ta,porsi ai që fëmijën e ngrederi në mollëzat e veta,përkulesha mbi të t’i jap të hajë» (Os11,1-4). Pavarësisht sjelljes së gabuar të birit, që e meritonte ndëshkimin, dashuria e atit është besnike dhe e fal gjithmonë birin e penduar. Siç e shohim, në mëshirë përfshihet gjithmonë falja; ajo «nuk është një ide abstrakte, por një realitet konkret me të cilin Ai e zbulon dashurinë e vet si atë të një ati dhe të një nëne që preken deri në thellësinë e kraharorit për birin e vet. [...] Del nga thellësia si një ndjenjë e thellë, e natyrshme, plot butësi dhe dhembshuri, ndjesë dhe falje» (Misericordiae Vultus, 6).
Besëlidhja e Re na flet për mëshirën hyjnore (eleos) si përmbledhja e veprës që Jezusi erdhi ta kryente në botë në emrin e Atit (Krh. Mt 9,13). Mëshira e Zotërisë sonë dëftohet sidomos kur Ai përkulet mbi mjerimin njerëzor dhe e tregon dhembshurinë e tij ndaj atyre që kanë nevojë për kuptim, shërim dhe falje. Gjithçka në Jezusin flet për mëshirë. Madje, Ai vetë është mëshira.
Në kapitullin 15 të Ungjillit sipas Lukës, mund të gjejmë tre shëmbëlltyrat e mëshirës: atë të deles së humbur, atë të monedhës së humbur dhe atë që njihet si shëmbëlltyra e “djalit të humbur”. Në këto tre shëmbëlltyra na godet gëzimi i Hyjit, gëzimi që Ai e ndjen kur e gjen një mëkatar dhe e fal. Po, gëzimi i Hyjit është falja! Këtu përmblidhet i gjithë Ungjilli. «Secili prej nesh është delja e humbur, ajo monedha e humbur; secili prej nesh është ai biri që e ka shkapërderdhur lirinë e vet duke ndjekur idhujt e rrejshëm, mirazhet e lumturisë, dhe humbi gjithçka. Por Hyji nuk na harron, Ati nuk na braktis kurrë. Është një atë i durueshëm, na pret gjithmonë! E respekton lirinë tonë, por mbetet gjithmonë besnik. Dhe kur kthehemi tek Ai, na pret si bij, në shtëpinë e tij, sepse nuk pushon kurrë, as edhe për një çast, duke na pritur me dashuri. Dhe zemra e tij feston për çdo bir që kthehet. Feston sepse është gëzim. Hyji e ka këtë gëzim kur një mëkatar prej nesh shkon tek Ai dhe e kërkon faljen e tij» (Lutja e Engjëllit, 15 shtator 2013).
Mëshira e Hyjit është shumë konkrete dhe të gjithë jemi të thirrur që ta përjetojmë vetë atë. Kur isha 17 vjeç, një ditë kur duhet të dilja me miqtë e mi, vendosa të kaloja më parë nga kisha. Aty gjeta një meshtar që më frymëzoi një besim të veçantë dhe ndjeva dëshirën që ta hapja zemrën time në Rrëfim. Ai takim ma ndryshoi jetën! Zbulova se kur e hapim zemrën me përvujtëri dhe transparencë, mund ta kundrojmë në mënyrë shumë konkrete mëshirën e Hyjit. Pata sigurinë se, në personin e atij meshtari, ishte Hyji që po më priste tashmë, përpara se unë ta bëja hapin e parë për të shkuar në kishë. Ne e kërkojmë, por Ai na paraprin gjithmonë, na kërkon që gjithmonë, dhe na gjen i pari. Ndoshta dikush prej jush e mban një peshë në zemrën e vet dhe mendon: kam bërë këtë e kam bërë atë... Mos kini frikë! Ai ju pret! Ai është atë: na pret gjithmonë! Sa bukur është të takojmë në Sakramentin e Pajtimit përqafimin e Atit, ta zbulojmë rrëfyestoren si vendin e Mëshirës, të lejojmë të prekemi nga kjo dashuri e mëshirshme e Zotit që na fal gjithmonë. Dhe ti, i dashur i ri, e dashur e re, a ke ndjerë të shtrihet mbi ty ky shikim dashurie të pafund, që përtej krejt mëkateve, kufizimeve, dështimeve të tua vazhdon të ketë besim te ti dhe ta shohë me shpresë ekzistencën tënde? A je i vetëdijshëm për vlerën që e ke para Hyjit, i cili për dashuri të ka dhënë gjithçka? Siç na mëson Shën Pali, «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne» (Rom 5,8). Por, a e kuptojmë vërtet fuqinë e këtyre fjalëve?
E di se sa i dashur është për ju kryqi i DBR-së – dhuratë e Shën Gjon Palit II – që i shoqëron të gjitha takimet tuaja botërore që nga viti 1984. Sa ndryshime, sa kthime të mirëfillta kanë buruar në jetën e shumë të rinjve që nga takimi me këtë kryq të zhveshur! Ndoshta ia keni bërë vetes pyetjen: nga vjen kjo fuqi e jashtëzakonshme e kryqit? Ja, pra, përgjigjja: kryqi është shenja më elokuente e mëshirës së Hyjit! Ajo na vërteton se masa e dashurisë së Hyjit përballë njerëzimit është të duash pa masë! Në kryq mund ta prekim mëshirën e Hyjit dhe të lejojmë të prekemi nga vetë mëshira e tij! Këtu do të dëshiroja të kujtoja episodin e dy cubave të kryqëzuar përkrah Jezusit: njëri prej tyre është mendjemadh, nuk e njeh veten mëkatar, e tall Zotërinë. Tjetri, përkundrazi, e pranon se ka gabuar, i drejtohet Zotërisë dhe i thotë: «Jezus, kujtohu për mua kur të hysh në mbretërinë tënde». Jezusi e shikon me mëshirë të pafundme dhe i përgjigjet: «Sot do të jesh me mua në Parajsë» (Krh. Lk 23,32.39-43). Me cilin prej të dyve identifikohemi? Me atë që është mendjemadh dhe nuk i pranon gabimet e veta? Apo me tjetrin, që e pranon veten si nevojtar për mëshirën hyjnore dhe e kërkon me gjithë zemër? Në Zotërinë, që e ka dhënë jetën e tij për ne në kryq, do ta gjejmë gjithmonë dashurinë e pakushtëzuar që e njeh jetën tonë si një të mirë dhe na e jep gjithmonë mundësinë për të rifilluar.
3.Gëzimi i jashtëzakonshëm i të qenurit mjete të mëshirës së Hyjit
Fjala e Hyjit na mëson se «është më i lumtur ai që jep se ai që merr» (Vap 20,35). Pikërisht për këtë arsye, Lumturia e pestë i shpall të lumtur të mëshirshmit. E dimë se Zoti na ka dashur i pari. Por, do të jemi vërtet të lumë, të lumtur, vetëm nëse do të hyjmë në logjikën hyjnore të dhurimit, të dashurisë falas, nëse do ta zbulojmë se Hyji na ka dashur pafundësisht për të na bërë të aftë të duam si Ai, pa masë. Siç thotë Shën Gjoni: «
Të dashur, ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria vjen nga Hyji, dhe, secili që ka dashuri, ka lindur prej Hyjit dhe Hyjin e njeh. Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri. [...] Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona. Të dashur, në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin» (1 Gjn 4,7-11). Pasi jua kam shpjeguar në mënyrë shumë përmbledhëse se si e ushtron Zoti mëshirën e tij me ne, do të dëshiroja t’ju sugjeroj se si mund të jemi konkretisht mjete të kësaj mëshirë ndaj të afërmit tonë.
Më vjen në mend shembulli i të Lumit Pierxhorxho Frasati. Ai thoshte: «Jezusi më viziton çdo mëngjes në Kungim, kurse unë ia kthej në mënyrën më të mjerë që mundem, duke i vizituar të varfrit». Pierxhorxho ishte një i ri që e kishte kuptuar se çfarë do të thotë të kesh një zemër të mëshirshme, të ndjeshme ndaj më nevojtarëve. Atyre u jepte më shumë se vetëm gjëra materiale; u jepte vetveten, harxhonte kohë, fjalë, aftësi dëgjimi. U shërbente të varfërve me fshehtësi të madhe, duke mos e treguar asnjëherë veten. E jetonte me të vërtetë Ungjillin që thotë: «Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë» (Mt6,3-4). Mendoni se një ditë para vdekjes së tij, për së tepërmi i sëmurë, jepte urdhra se si t’i ndihmonte miqtë e tij në vështirësi. Në funeralin e tij, familjarët dhe miqtë mbetën të shtangur nga prania e shumë të varfërve që ata nuk i njihnin, të cilit i riu Pierxhorxho i kishte ndjekur dhe ndihmuar.
Më pëlqen gjithmonë që t’i bëj bashkë Lumturitë ungjillore me kapitullin 25 të Mateut, kur Jezusi na i paraqet veprat e mëshirës dhe thotë se ne do të gjykohemi në bazë të tyre. Prandaj, ju ftoj që t’i zbuloni veprat e mëshirës trupore: t’u jepni të hanë të uriturve, të pinë të eturit, t’i vishni të zhveshurit, t’i pranoni të huajt, t’i ndihmoni të sëmurët, t’i vizitoni të burgosurit, t’i varrosni të vdekurit. Dhe të mos harrojmë edhe veprat e mëshirës shpirtërore: t’i këshillojmë ata që dyshojnë, t’i mësojmë të paditurit, t’i qortojmë mëkatarët, t’i ngushëllojmë të lënduarit, t’i falim fyerjet, t’i durojmë me durim personat bezdisës, ta lusim Hyjin për të gjallët e për të vdekurit. Siç e shihni mëshira nuk është “të jesh i mirë”, as thjesht sentimentalizëm. Këtu vërtetohet vërtetësia e të qenurit tonë nxënës të Jezusit, të besueshmërisë tonë si të krishterë në botën e sotme.
Ju të rinjve, që jeni shumë konkret, do të dëshiroja t’ju propozoja, për shtatë muajt e parë të vitit 2016, që në secilin muaj të zgjidhni e të zbatoni një vepër të mëshirës trupore dhe një të mëshirës shpirtërore. Frymëzohuni nga lutja e Shën Faustinës, apostulle e përvuajtur e Mëshirës Hyjnore në kohët tona:
«Më ndihmo, o Zot, që të bëj që [...]
sytë e mi të jenë të mëshirshëm, në mënyrë që unë të mos ushqej kurrë dyshime dhe të mos gjykoj bazuar në dukjet e jashtme, por që të di ta dalloj atë çka është e bukur në shpirtin e të afërmit tim dhe t’i bëhem ndihmë [...]
dëgjimi im të jetë i mëshirshëm, që të përkulem para nevojave të të afërmit tim, që veshët e mi të mos jenë shpërfillës ndaj dhimbjeve dhe ofshamave të të afërmit tim [...]
gjuha ime të jetë e mëshirshme dhe të mos flas kurrë keq për të afërmin, por ta kem për secilin një fjalë ngushëllimi dhe faljeje […]
duart e mia të jenë të mëshirshme dhe plot me vepra të mira […]
këmbët e mia të jenë të mëshirshme, në mënyrë që unë t’i shkoj gjithmonë në ndihmë të afërmit, duke fituar mbi plogështinë dhe lodhjen time […]
zemra ime të jetë e mëshirshme, në mënyrë që të marr pjesë në të gjitha vuajtjet e të afërmit»(Ditari, 163).
Mesazhi i Mëshirës Hyjnore përbën kështu një program jete shumë konkret dhe kërkues që kërkon vepra. Dhe një prej veprave të mëshirës më të dukshme, por ndoshta ndër më të vështirat për t’u zbatuar, është ajo e faljes së atyre që na kanë fyer, që na kanë bërë keq, që ne i konsiderojmë si armiq. «Sa e vështirë duket shumë herë të falësh! E megjithatë, falja është mjeti i vendosur në duart tona të brishta për ta arritur qetësinë e zemrës. Të lejojmë të bjerë mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja, është kusht i domosdoshëm për të jetuar të lumtur» (Misericordiae Vultus, 9).
Takoj shumë të rinj që thonë se janë të lodhur nga kjo botë kaq e ndarë, në të cilën hasen me mbështetës të fraksioneve të ndryshme, ku ka shumë luftëra dhe madje ka njerëz që e përdorin edhe fenë e vet si arsyetim për dhunën e tyre. Duhet t’i përgjërohemi Zotit që të na e dhurojë hirin të jemi të mëshirshëm me ata që na bëjnë keq. Si Jezusi që mbi kryq lutej për ata që e kishin kryqëzuar: «Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë» (Lk 23,34). Rruga e vetme për të fituar mbi të keqen është mëshira. Drejtësia është e nevojshme, patjetër, por e vetme nuk mjafton. Drejtësia dhe mëshira duhet të ecin së bashku. Sa do të doja që të bashkoheshim të gjithë në një lutje të zëshme, nga thellësia e zemrave tona, duke u lutur që Zoti të ketë mëshirë për ne dhe për botën mbarë!
4. Krakovi na pret!
Ngelin edhe pak muaj deri në takimin tonë në Poloni. Krakovi, qyteti i Shën Gjon Palit II dhe Shën Faustina Kovalskës, na pret me krahët dhe zemrën hapur. Besoj se Provania Hyjnore na ka udhëhequr që ta kremtojmë Jubileun e të Rinjve pikërisht atje, ku kanë jetuar këto dy apostuj të mëdhenj të mëshirës së kohëve tona. Gjon Pali II e ka perceptuar se kjo ishte koha e mëshirës. Në fillimin e papnisë së tij, ai shkroi Enciklikën Dives in misericordia. Në Vitin e Shenjtë 2000, ai kanonizoi Motër Faustinën, duke themeluar edhe Festën e Mëshirës Hyjnore, në të dielën e dytë të Pashkës. Dhe në vitin 2002, e përuroi vetë personalisht, në Krakov, Shenjtëroren e Jezusit të Mëshirshëm, duke ia besuar botën Mëshirës Hyjnore dhe duke shpresuar që ky mesazh t’iu mbërrijë të gjithë banorëve të tokës dhe t’i mbushë zemrat me shpresë: «Duhet ta ndezim këtë shkëndijë të hirit të Hyjit. Duhet t’ia transmetojmë botës këtë zjarr mëshire. Në mëshirën e Hyjit, bota do ta gjejë paqen, dhe njeriu lumturinë!» (Homelia për Kushtimin e Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore në Krakov, 17 gusht 2002).
Fort të dashur të rinj e të reja, Jezusi i mëshirshëm, piktura që nderohet nga populli i Hyjit në Shenjtëroren e Krakovit kushtuar Atij, ju pret. Ai ka besim te ju dhe llogarit në ju! Ka shumë gjëra të rëndësishme për t’ia thënë secilit dhe secilës prej jush... Mos kini frikë t’i ngulitni sytë e tij të mbushur me dashuri të pafundme përballë jush dhe lejoni që t’ju mbërrijë shikimi i tij i mëshirshëm, i gatshëm që ta falë çdo mëkat tuajin, një shikim që është në gjendje ta ndryshojë jetën tuaj dhe t’i shërojë plagët e shpirtrave tuaj, një shikim që e shuan etjen e thellë që banon në zemrat tuaja të reja: etje për dashuri, paqe, gëzim, dhe lumturi të vërtetë. Ejani tek Ai dhe mos kini frikë! Ejani që t’i thoni nga thellësia e zemrave tuaja: “Jezus, unë besoj në Ty!” Lejoni që të prekeni nga mëshira e tij pa kufij për t’u bërë edhe ju apostuj të mëshirës përmes veprave, fjalëve dhe lutjeve, në botën tonë të plagosur nga egoizmi, urrejtja dhe dëshpërimi i madh.
Çojeni flakën e dashurisë së mëshirshme të Krishtit – për të cilën ju ka folur Shën Gjon Pali II – në mjediset e jetës sonë të përditshme e deri në skajet e botës. Në këtë mision, unë ju shoqëroj me urimet dhe lutjet e mia, ju besoj të gjithëve në duart e Marisë Virgjër, Nënës së Mëshirës, në këtë pikë të fundit të ecjes së përgatitjes shpirtërore në DBR-në e ardhshme të Krakovit, dhe ju bekoj të gjithëve nga zemra.
Nga Vatikani, 15 gusht 2015
Solemniteti i të Ngriturit të së Lumes Mari Virgjër
FRANÇESKU
Copyright © Dicastero per la Comunicazione - Libreria Editrice Vaticana